Shko te përmbajtja

Lustrum

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Një lūstrum (IPA: [ˈluːs̠t̪rʊ̃ˑ], shumës lūstra) ishte një term për një periudhë pesë-vjeçare në Romën e Lashtë. Në një lustrum ndërkohë mund të jenë midis 1825[a] dhe 1827 ditë, sipas numrit të viteve bisekstile të paranishëm në pesëvjeçarin në fjalë.[b]

Është e ndryshme nga lustrum homografe (kuptim tjetër i kësaj fjale në latinisht): një strehë e bishave të egra (dhe figurativisht, një strofull e veseve), shumës lustra.[1][2]

Etimologjia e termit e ka prejardhjen nga latinishtja e vjetër loustrom me shumë teori të propozuara për etimologjinë e saj: e bashkë-prejardhur me fjalën lūceō (i ndritshëm, i qartë, i shkëlqyeshëm),[3] me fjalën lavō (laj, lahem, njom),[4] me fjalën luō (laj, pastroj, purifikojë)[2][5] (me të njëjtën rrënjë me fjalën greke λούω) e cila është e lidhur me foljen luere (të dlirësosh, të pastrosh), emërtim tjetër i ritit të purifikimit lustratio. Ky rit kremtohej në veçanti çdo pesë vjetë nga censorët, në fund të censusit për të cilin ishin ngarkuar. Termi do të merte pastaj kuptimin e intervalit kohor midis një lustrum-i dhe tjetrit dhe kështu çdo intervali prej pesë vjetësh.

Fjala në latinisht ka edhe kuptimin tjetër të një strofulle bishash të egra, pyll, korije, dhe në kuptim figurativ të një vendi degjenerimi, dhe poshtërsie. Ka të njëjtën rrënjë me fjalën lutum (baltë, pisllëk, ndyrësi)[6]

Lustratio ishte fillimisht një flijim për dlirësimin dhe purifikimin ritual ofruar nga një nga censorët në emër të popullit romak në fund të zhvillimit të censusi. Flijimi shpesh ishte një formën e flimijit të një kafshe, të njohur si një suovetaurilia.

Këto censuse zhvilloheshin në intervale pesë-vjeçare, kështu një lūstrum do të merte kuptimin e një periudhe pesë-vjeçare ndërmjet censuseve. Lustrum është një lustracion ose purifikim i të gjithë popullit romak të kryer nga një nga censorët në Campus Martius, pasi ishte përfunduar censusi. Pasi ky purifikim zhvillohej një herë në pesë vjetë, fjala lūstrum u përdor edhe për të përcaktuar kohën midis dy lustra-ve.

Lūstrum-i i parë i njohur u krye në vitin 566 p.e.s. nga mbreti romak Servius Tullius, pasi kishte përfunduar censusin e tij dhe në vjimit thuhet se u zhvillua rregullisht çdo pesë vjetë pasi përfundonte censusi. Në periudhën më të hershme të Republikës, çështja e censusit dhe solemnitetet e lūstrum-it kryeheshin nga konsujt. Censorët e parë u caktuan në vitin 443 p.e.s. dhe nga ky vit deri në vitin 294 p.e.s., sipas Livit (X.47), kishte patur vetëm 26 çifte censorërsh dhe vetëm 21 lustra, ose purifikime të përgjithshme, megjithëse nëse të gjitha do të kishin qenë të rregullta, do të kishte patur 30 çifte censorërsh dhe 30 lustra. Ndonjëherë censusi nuk zhvillohej fare, ose të paktën jo nga censorët. Censusi mund të zhvillohej pa lūstrum dhe në fakt në dy raste kjo është rregjistruar, në vitin 459 p.e.s. dhe 214 p.e.s.. Në këto raste, lūstrum-i nuk ishte zhvilluar për shkak të disa fatkeqësive të mëdha që kishin goditur Republikën.

Koha kur lūstrum-i zhvillohej ishte llogaritur. Gjashtë vite romuliane, prej 304 ditësh secili, ishin, me diferencë prej dy ditësh, të barabartë me katër vite diellore prej 365 ditësh plus një vit i brisht prej 366 ditësh; gjashtë vitet e lashta përbëheshin nga 1824 ditë, ndërsa pesë vite diellore përmbanin 1826 ditë. Lūstrum, ose viti i madh i romakëve, ishte kështu një cikël, në fund të të cilit, fillimi i vitit romak pothuajse përkonte me atë të vitit diellor. Si koinçidencë, megjithatë, nuk ishte i përsosur, një muaj prej 24 ditësh futej në çdo njëmbëdhjetë lūstrum. Ka shumë të ngjarë që përkimi i një cikli të tillë ose vitesh të mëdhenj, solemnizohej me flijime dhe purifikime dhe se mbreti Servius Tullius nuk i futi ata, por thjeshtë i lidhi me censusin e tij, dhe kështu vendosi preçedentin për periudhën pasuese, e cila megjithatë, siç e pamë, nuk u ndoq rregullisht.

Frizë në reliev censusi nga i ashtu-quajturi "Altari i Domitius Ahenobarbus", me zhvillimin e censusit (në të majtë) dhe proçesionit të suovetaurilia-s. Skena e gjatë e vazhduar mund të ndahet në tre grupe kryesore nga e majta. I pari është grupi i katër burrave me toga. Dy janë të ulur dhe një po shkruan në një tabelë. Dy roje të gjatë ushtarakë e ndajnë këtë grup nga skena qendrore e flijimit. Dy muzikantë, qartësisht më të shkurtër sesa ushtarët, luajnë në një lirë dhe një bri. Një altar i pa zbukuruar, me lartësi deri te beli, gjendet në qendër. Në të majtën e shikuesve ndodhet figura më e gjatë e kompozimit, një oficer ushtarak që mban një helmet të lartë me pendë dhe mban një shtizë të gjatë, duke qëndruar përkrahë altarit. Luftëtari i gjatë që qëndron te altari ndonjëherë identifikohet si vetë zoti Mars. Në anën tjetër të altarit ndodhet një prift, koka e të cilit është mbështjellë në mënyrë rituale, duke zgjatur një enë libacioni. Një djalosh ndihmës hedh ujë nga një enë në enën e priftit dhe në të djathtë të atij djaloshi është një djalë më i vogël duke vrojtuar dhe që ngre dorën e tij të djathtë në majë të kokës së tij, një gjest që duket enigmatik për shikuesit modernë, por mund të ketë domethënie tjetër në kontekstin romak. Prifti është i shoqëruar nga një djalë i tretë pranë të majtës së tij, i cili qëndron gati me një peshqir. Ana e djathtë e relievit i kushtohet procesionit të tre viktimave shtazore për suovetaurilia-n, secila e drejtuar nga një djalosh ndihmës, kraharor zhveshur por duke mbajtur një veshje si fund, me një kurorë në kokën e tyre. I pari tërheq një dem të madh me një rrip me xhufka që i varet poshtë bririt të majtë. Një ndihmës i katërt me të njëjtin qëndrim ndjek nga afër demin nga pas, duke tundur një degë palme në secilën dorë. Ndihmësi që sjellë dashin ndiqet nga një figurë tjetër me vel që mban një shkop nga i cili valëvitet një flamur. Ndihmësi që mban derrin ndiqet nga një tjetër ushtar që mban një mburojë të gjatë dhe shikon mbrapa te një tjetër mburoja e të cilit qëndron në tokë, duke mbuluar shumicën e trupit të tij. Figura e fundit është një kalorës, i kthyer me shpinë nga shikuesi, pranë kalit të tij.[7]
  1. 365 × 5; nuk ka vite bisekstile në një lustrum në një fillim shekull të pa pjesëtueshëm me 400
  2. (365 × 3) + (366 × 2); verifikohet kur si viti i parë, ashtu dhe viti i fundit i lustrum-it janë bisekstilë
  1. Oxford Latin Desk Dictionary (2005). Oxford: Oxford University Press. fq. vii, 109
  2. 1 2 Michiel De Vaan (2008). Etymological Dictionary of Latin and the other Italic Languages. Leiden Indo-European Etymological Dictionary Series (në anglisht). Leiden, Boston: Brill. fq. 354–355. ISBN 978-90-04-16797-1.
  3. Julius Pokorny. Indogermanisches etymologisches Wörterbuch (në gjermanisht). Vëll. 2. Bern, Mynih: Francke Verlag. fq. 688.
  4. Charlton T. Lewis (1891). "lustrum". An Elementary Latin Dictionary (në anglisht). Nju Jork: Harper & Brothers.
  5. Charlton T. Lewis; Charles Short (1879). "lustrum". A Latin Dictionary (në anglisht). Oksford: Claredon Press.
  6. Michiel De Vaan (2008). "lutum". Etymological Dictionary of Latin and the other Italic Languages. Leiden Indo-European Etymological Dictionary Series (në anglisht). Brill. fq. 355. ISBN 978-90-04-16797-1.
  7. Katja Moede (2007). "Reliefs, Public and Private". A Companion to Roman Religion (në anglisht). Blackwell. fq. 170.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Definimi i Lustrum tek WikiFjalori